Çmimi i naftës në Shqipëri kalon 2 euro, më i shtrenjti në rajon, Serbia rikthen masat mbështetëse
Rritja e çmimeve ndërkombëtare po godet rajonin, por Shqipëria vijon të ketë naftën më të shtrenjtë në Ballkan.
Çmimet e naftës janë rritur sërish në tregjet ndërkombëtare, të nxitura nga përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si edhe nga frika për ndërprerje të furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Sipas Reuters, nafta Brent është ngjitur pranë 85 dollarëve për fuçi, ndërsa WTI rreth 80 dollarëve për fuçi, nivelet më të larta të regjistruara në afro një muaj. Tregjet reaguan pas rikthimit të bllokadës amerikane ndaj anijeve iraniane dhe sulmeve të reja në rajon, ndërsa presione shtesë kanë ardhur edhe nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive dhe mjeteve të transportit rus.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e flukseve globale të naftës. Çdo kufizim në këtë korridor ndikon në ofertën globale dhe rrit kostot e transportit dhe sigurimit. Ndërkohë, çmimet ndërkombëtare të naftës së përpunuar, veçanërisht të dieselit, janë rritur më shpejt se ato të naftës bruto, duke u reflektuar menjëherë në tregjet me shumicë dhe më pas në çmimet me pakicë.
Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në rajon
Rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare është reflektuar edhe në Shqipëri, ku nafta tregtohet me 196-198 lekë për litër, duke kaluar kufirin e 2 eurove për litër. Operatorët e tregut e lidhin këtë rritje me shtrenjtimin e treguesit Platts, i cili ka arritur në 1,203 dollarë për ton sipas të dhënave të Doganave, nga 952 dollarë për ton që ishte në fund të muajit qershor. Kësaj vlere i shtohet edhe një premio prej rreth 30 dollarësh për ton.
Sipas operatorëve, Shqipëria vijon të ketë çmimin më të lartë të naftës në rajon për shkak të barrës së lartë fiskale, pasi rreth gjysma e çmimit final përbëhet nga taksat. Taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, akciza 39.4 lekë për litër dhe taksa e karbonit 3 lekë për litër. Mbi këto llogaritet edhe TVSH-ja prej 20%, e cila aplikohet mbi çmimin final, përfshirë edhe taksat e tjera, ndryshe nga praktika në shumicën e vendeve të rajonit.
Çmimi më i ulët i naftës pas nisjes së konfliktit ishte 176 lekë për litër, nga 17 qershori deri në fillim të korrikut, për t'u rritur më pas disa herë deri pranë nivelit 200 lekë për litër, niveli më i lartë që nga 20 maji. Sipas formulës së Bordit të Transparencës, nëse përdoret treguesi CIF i ditës së djeshme, çmimi me pakicë rezulton rreth 198 lekë për litër, ndërsa me treguesin FOB do të ishte rreth 5 lekë më i ulët.
Rajoni reagon me masa mbështetëse
Në Serbi, çmimi i naftës varion nga 1.82 deri në 1.87 euro për litër, ndërsa benzina tregtohet rreth 1.66 euro për litër. Qeveria serbe ka rikthyer masat mbështetëse duke vendosur tavan për çmimin e eurodieselit prej 220 dinarësh, ose rreth 1.87 euro për litër, si dhe duke zgjatur ndalimin e eksportit të naftës dhe nënprodukteve deri më 31 korrik. Ministria e Financave ka vendosur gjithashtu uljen totale të akcizës në 10%, masë që ka frenuar rritjen e çmimeve në tregun vendas.
Në Maqedoninë e Veriut, nafta kushton rreth 1.42 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.41 deri në 1.44 euro për litër. Gjatë javës së fundit, nafta është shtrenjtuar me rreth 0.10 euro për litër, megjithëse vendi nuk aplikon më ulje të TVSH-së apo akcizës.
Në Mal të Zi, nafta tregtohet nga 1.58 deri në 1.68 euro për litër, ndërsa benzina "Eurosuper" rreth 1.64 euro për litër. Çmimet janë rritur me 0.02 deri në 0.09 euro për litër. Nga 3 qershori, qeveria riktheu nivelin e plotë të akcizës për eurodieselin dhe rriti në 95% akcizën për benzinën.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, nafta kushton rreth 1.4 euro për litër, ndërsa në Kosovë çmimi maksimal i lejuar është 1.56 euro për litër për naftën dhe 1.40 euro për litër për benzinën. Në Kosovë, çmimi i naftës është rritur me rreth 12 cent gjatë ditëve të fundit.
Shqipëria me më pak masa lehtësuese
Qeveria shqiptare riaktivizoi Bordin e Transparencës më 26 mars dhe e mbylli atë më 19 qershor, duke argumentuar se çmimet në bursat ndërkombëtare kishin rënë. Megjithatë, importuesit e mëdhenj të karburanteve kundërshtuan metodologjinë e përdorur për llogaritjen e çmimeve dhe paralajmëruan se mund ta çonin çështjen në gjykatë. Ankesa kryesore lidhej me përdorimin e çmimit "Platts FOB", ndërkohë që tregtia ndërkombëtare prej vitit 2024 zhvillohet kryesisht me kontrata CIF, të cilat përfshijnë edhe kostot e transportit dhe sigurimit.
Në kulmin e rritjes së çmimeve, Shqipëria ishte ndër vendet e rajonit që ndërhyri më pak për të zbutur efektet e krizës. Ndryshe nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat ulën taksat, reduktuan akcizat ose vendosën kufij për çmimet, Shqipëria aplikoi vetëm një masë fiskale të kufizuar, duke parashikuar uljen e akcizës me 20% vetëm në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Si rezultat, çmimet e karburanteve në vend mbeten deri në 40 lekë për litër më të larta se në disa vende fqinje, duke nxitur edhe furnizimin e automjeteve përtej kufirit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)